Kastriotët – Roman në vargje – nga Mark Ndoja

Kastriotët – Mark Ndoja
Kastriotët – Mark Ndoja

Kastriotët – Roman në vargje

nga Mark Ndoja

Vepra Kastriotët, me 9000 vargje, është shkruar nga Mark Ndoja në vitet 1961-1964, në ndërkohën mes dy dënimeve; më 25 dhjetor 1964, kohë kur autori u internua për 5 vjet në ishullin e Zvernecit. Vepra botohet si porosi e autorit, që i kishte shkruar këto dy vepra në prag të kremtimit të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut më 1968, si lutje e miqve të tij poetë në vitet ’90, si Pano Taçi e Vehbi Skenderi që kishin lexuar pjesë të dorëshkrimit Kastriotët, në vitet ’60, sidomos për pasurinë e stilit poetik, narracionit të panjohur për Gjon Kastriotin dhe gjuhës epike-kalorsiake.
Libri u daktilografua nga bashkëshortja e autorit Milena, në vitet ’90, dhe botohet si kushtim ndaj saj dhe autorit. Fragmentet e letrave të Markut dërguar së shoqes nga Zverneci japin një ide të skajshme për procesin krijues dhe itinerarin e kësaj vepre me travajet e jetës së autorit.
Vepra Kastriotët, është e shkruar me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut dhe kishte nëntitullin Trilogji kreshnike, vepër në tri pjesë. Pjesa e tretë ishte projektuar për Gjergj Kastriotin, projekt që u modifikua në kushtet e reja të internimit në ishullin e Zvërnecit. Në vitin 1967, në vijim të ciklit të Kastriotëve, autori shkroi tragjedinë në vargje Lavdi e shekujve që fillimisht mbante titullin Vdekja e Skënderbeut, e cila do të botohet më vete.
Vepra Kastriotët përbëhet nga 9000 vargje me rima me masën 16 rr. dhe ndahet në tri pjesë sipas temave. Në pjesën e parë, Gjon Kastrioti përshkruhen luftërat e Gjon Kastrotit; në pjesën e dytë nis ekpedita kundër Gjergj Arjanitit; ndërsa argumenti i pjesës së tretë ka në qendër vëllain e Gjergj Kastriotit, fratin Reposh Kastrioti i cili i lutet Zotit në kishën françeskane të Malit Sinai, si Moisiu për popullin e tij të zgjedhur. Lutjet e At Reposhit paralajmërojnë, revanshin e Gjergj Kastriot Skënderbeut kundër Sulltan Muratit.
Portret i Gjergj Kastriotit - Agim Morina
Portret i Gjergj Kastriotit – Agim Morina

Argumentet e veprës Kastriotët – Praeludiumi

Invokacioni i Muzës së historisë, (Zana arbënore), parashkrimi epik i derës së Kastriotëve dhe i kronotopisë së zhvillimit të ngjarjeve. Ëndrra e Vojsavës dhe konceptimi i Gjergj Kastriotit në pallatin e Gjon Kastriotit në Krujë, rreth vitit 1403.
Në pjesën e parë (viti 1415), personazhet kryesorë janë Gjon Kastrioti dhe kunati i tij nga Pollogu, Dedosh Tribala, ndërsa luftimet turko-shqiptare zhvillohen në Kosovë (Suharekë, Kelm, Gjakovë) dhe Shqipëri.
Në pjesën e dytë (viti 1425), rimerret tema e kryengritjes së Gjergj Arjanitit dhe ripushtimit të jugut të Shqipërisë nga Evrenoz Pasha, që mbërrin me ushtrinë turke në Janinë nga Edreneja pas urdhërit të Sulltan Muratit.
Pjesa e tretë (viti 1443) personazh kryesor është Reposh Kastrioti, gjithashtu Gjergj Kastrioti, Hamza Kastrioti dhe Ati françeskan Ludoviko Loredani. Kjo pjesë dallohet për mistikën biblike, skenat e së cilës nisin në Ederne, vijojnë me Reposhin në kampin e Serasqerit Skënderbe në Siri, mandej Reposhi bëhet kallugjer dhe përshkon si profetët lumin Jordan, Jeruzalemin, shkretëtirën e Negevit dhe të Malit Sinai.
 
.
About Jozef Radi 15 Articles
Jozef Radi Lindi 16 janar 1957 – lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit… Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve” Per me teper vizitoni : http://www.radiandradi.com/

Be the first to comment

Leave a Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.