Ministrit të Shtetit për Diasporën Z. Pandeli Majko – nga Maestro Bujar Llapaj

Dirigjenti Bujar Llapaj
Dirigjenti Bujar Llapaj

 Ministrit të Shtetit për Diasporën

Z. Pandeli Majko

nga Maestro Bujar Llapaj

I nderuar zoti Ministër,
Para disa ditësh nga zyra Juaj mora një email-ftesë për Samitin II të Diasporës.
Fillimisht desha T’ju falenderoj për ftesën dhe duke patur një konsideratë të veçantë për Ju personalisht si një politikan i papërfolur për korrupsion, si një patriot me zemër, si një zë i pavarur edhe kundër të gjithëve si në rastin e votimit të ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar, do të desha publikisht t’Ju shpreh arsyet përse unë refuzoj të marr pjesë në atë Samit, shqip: mbledhje apo kuvend të Diasporës.
1.Normalisht në Samitin II duhej të bëhej një analizë se çfarë është realizuar nga objektivat e përcaktuara nga Samiti I, nëqoftëse ka patur të tilla dhe jo vetëm fotografi me “udhëheqësit” apo çmallje dhe lot mallëngjimi për Mëmëdheun.
2.Edhe pse në Këshillin e Diasporës mund të jenë njerëz vërtet të shquar në fushën e tyre dhe aktivistë në komunitet, përzgjedhja e tyre nga qeveria e kompromenton qëllimin dhe procesin dhe nuk përputhet me normat demokratike që zbatojnë vetë shoqatat e shqiptarëve në mërgim.
3.Harxhimi i 66 milion lekë (të reja) nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për këtë aktivitet 3 ditor, mua më duket e tepërt, jo normale për një shtet me 1001 probleme ekonomike, ku shumë familje shqiptare vuajnë mungesën e bukës për fëmijët, dhe do të ishte cinike dhe kriminale që unë apo shumë të tjerë të vijmë dhe të kapardisemi nëpër tribuna dhe ekrane.
4.Eshtë hipokrizi dhe cinizëm të ftosh dhe harxhosh miliona për të marrë “mendjen” e Diasporës kur politika shqiptare në përgjithësi dhe ajo ‘Rilindase” në rastin konkret, nuk kanë nevojë për mendje, por për demagogë dhe servilë. Do ta quaja të sinqertë këtë kur “udhëheqësit” të dërgonin dhe shfytëzonin së pari potencialet intelektuale që jetojnë në Shqipëri. Unë nuk do të pranoja të bëhesha pjesë e një maskarade të tillë.
5.Askush nga politikanët shqiptarë nuk mund të marrë rolin e Skënderbeut dhe të imitojë Kuvendin e tij të Lezhës. 6 shekuj përpara Skënderbeu i bashkoi shqiptarët nën një flamur, nën një ideal, kurse stërnipat e tij për gati një shekull kanë sunduar popullin e vet me mënyrat nga më barbaret, e kanë përçarë si kurrë më parë për pushtetin e tyre personal, ca në emër të “antikomunizmit”, të tjerë për “rilindjen”. Në krizën e gjithanëshme që gjendet tani Shqipëria pjesëmarrja në këtë Samit është thjesht t’i shërbesh si mbështetje “Rilindjes”, dhe jo Shqipërisë.
6.Vetë Diaspora, përpara se një Samiti, kërkon të bëhet realisht ndikuese dhe kontribuese në proceset demokratike të Shqipërisë duke ju siguruar e drejta e Votës, themeli i të drejtës qytetare. Kur?
Samiti i Dyte i Diaspores - 28 Shkurt - 2 Mars 2019
Samiti i Dyte i Diaspores – 28 Shkurt – 2 Mars 2019
 
I nderuar zoti Majko,
Ju drejtohem Juve si një figurë politike e pakompromentuar jo vetëm e PS-së: do të ishte në nderin dhe respektin e Diasporës dhe Tuajin personal që ta anulloni këtë Samit.
Duke gjykuar që “Rilindja” është shndërruar në një sekt politiko-ekonomik që nuk përfaqëson jo vetëm shqiptarët dhe hallet e tyre, por as PS-në, do të doja që e Ju, qoftë dhe i vetëm, të mbeteni tek idealistët e Partisë Socialiste!
Me respekt dhe konsideratë të veçantë,
Bujar Llapaj – Vankuver, Kanada

 

About Jozef Radi 11 Articles
Jozef Radi Lindi 16 janar 1957 – lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit… Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve” Per me teper vizitoni : http://www.radiandradi.com/

Be the first to comment

Leave a Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.